PDS, SD, UDSH DHE NQK NGRITËN KALLËZIM PENAL KUNDËR MANDIQIT, PB NUK PRANOI TA BËJË KËTË

Partia Demokratike e Socialistëve, Socialdemokratët, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Nisma Qytetare Kroate ngritën kallëzim penal kundër kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi dhe Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, me dyshimin se ka kryer vepër penale, duke keqpërdorur pozitës zyrtare.

Kallëzimi penal është nënshkruar nga deputetët e PDS-së, SD-së, NQK-së dhe UDSH-së ndërsa Partia Boshnjake e ka refuzuar.

Deputeti Andrija Nikoliq në konferencën e sotme për media ka bërë të ditur se Mandiq si kryetar i Kuvendit në kabinetin e tij ka vendosur flamurin e një shteti të huaj, ndërsa personalitetet me të cilët ka organizuar takime nuk kanë qenë përfaqësues të Serbisë.

“Duke shfaqur flamurin e një shteti të huaj, që është simbol kombëtar i vetëm një kombi, ka kryer veprën penale të diskriminimit. Është e qartë për ne se Mandiq ka një rol politik për të ndryshuar karakterin e vendit, ai dëshiron të prezantojë zyrtarisht Malin e Zi në botën serbe. Në sjelljen e tij ka shumë skandale, por edhe shumë përgjegjësi penale”, tha Nikoliq.

“Ne presim që për veprimet e Mandiqit të ketë mjaft arsye dhe dyshime jo vetëm që të sanksionohen politikisht. Kur keni këtë lloj devijimi në shoqëri, atëherë është punë vetëm e institucioneve të drejtësisë dhe presim reagimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit të Malit të Zi”, theksoi Nikoliq.

Duke iu përgjigjur pyetjes të së përditshmes „Vijesti“ se si e komenton faktin që një pjesë e opozitës kanë bërë kallëzim penal kundër kryeparlamentarit Andrija Mandiq, deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj thotë: „Kam vizituar shumë shtete në botë që janë federale, shumëkombëshe. Një kongresmen nga p.sh. Idaho do të shfaqte gjithashtu flamurin e shtetit të tij federal. Më e rëndësishmja është respektimi i simboleve shtetërore, dhe fakti që dikush e ka nisur procedurën – mendoj se opozita duhet të gjejë gjithmonë edhe detajet më të vogla dhe të bëjë një histori prej saj”, tha Camaj duke shtuar se kjo i bën qytetarët të pakënaqur dhe se më pas është më e lehtë të manipulohet me ta.

SHARE