BORELL: FOKUSIMI NË REFORMA / VARHELI: MUND TË INVESTOHEN 1.3 MILIARDË EURO

Të gjithë aktorët politikë dhe institucionet në Mal të Zi duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për reformat, me frymë konstruktive dhe çështjet e tjera politike në vazhdim nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga agjenda e reformave, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për punët e jashtme dhe sigurinë, Joseph Borell. Kryeministri Abazoviq tha se mbajtja e Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Mali i Zi është një njohje e madhe për vendin tonë dhe se kjo tregon se në Ballkanin Perëndimor ideja e zgjerimit jeton më së shumti përmes vendit tonë. “Kemi pasur një takim shumë konstruktiv. Ajo që duam të theksojmë është se Qeveria e Malit të Zi sheh vetëm një prioritet kryesor politik të jashtëm – dhe kjo është se si ta bëjmë Malin e Zi anëtarin e ardhshëm të BE-së. Të gjithë duhet të angazhohemi për këtë çështje, duhet të zgjidhim gjërat që kërkojnë një konsensus më të gjerë në shoqëri, të ecim drejt zhbllokimit të rrugës evropiane, drejt çfarë janë vendimet me dy të tretat apo tre të pestat në parlament për Këshillin Gjyqësor, anëtarët e Gjykata Kushtetuese dhe zgjedhja e Prokurorit të Lartë të Shtetit në mandat të plotë”, tha Abazoviq. Ai tha se nëse Mali i Zi arrin t’i japë këto rezultate, ai beson se Komisioni Evropian do ta pranojë këtë në raportin e progresit dhe se Mali i Zi do të shkojë drejt standardeve përfundimtare. Borell theksoi se takimi ishte i rëndësishëm për t’u treguar qytetarëve të Malit të Zi dhe të gjithë rajonit përkushtimin tonë për një të ardhme të përbashkët në BE. “Sot rishikuam marrëdhëniet tona me Malin e Zi dhe procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Diskutuam ngjarjet rajonale. Theksuam rëndësinë e agjendës evropiane të Malit të Zi. Fuqia dhe fokusi i të gjitha subjekteve politike duhet të përqendrohet në zbatimin e reformave evropiane. Nuk duhet të ketë asgjë më të rëndësishme për Malin e Zi sesa rruga evropiane, veçanërisht në momentin kur Mali i Zi duhet të jetë lider në negociatat e anëtarësimit”, tha Borell. Ai tha se BE pret që Mali i Zi të heqë programin e shtetësisë ekonomike dhe të harmonizojë politikën e vizave me politikën e BE-së. Ai bëri të ditur se BE-ja do t’i japë pesë milionë euro vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë. Siç tha ai, bëhet fjalë për mbështetje urgjente për rajonin për të forcuar qëndrueshmërinë përballë sulmeve kibernetike dhe manipulimit të informacionit. Varheli tha se është rënë dakord për prioritetin strategjik – përshpejtimin e integrimit në terren. “Rezultati i takimit është se sa e rëndësishme është që të gjithë aktorët të përshpejtojnë reformat. Jemi të gatshëm të shkojmë më shpejt, por duhet zbatimi i reformave”, tha Varheli. I pyetur për nismën Ballkani i Hapur, Varheli theksoi se bashkëpunimi rajonal ka potencial të madh për rajonin. Ai vlerësoi se është e rëndësishme që Ballkani i Hapur të jetë i hapur për të gjithë dhe të bazohet në rregullat e BE-së.

SHARE