GEOANA: KA STRUKTURA NË MAL TË ZI QË DUAN TË NDALOJNË RRUGËN E TIJ DREJT BE-së

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mircea Geoana tha se ka struktura në Mal të Zi që duan ta largojnë vendin nga rruga e BE-së.

Këtë Geoana e tha në një debat me anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Parlamentit Evropian.

“U takova me presidentin dhe kryeministrin e ri të Malit të Zi, janë mbresëlënës, por është e vërtetë që ka dallime dhe jo vetëm në opinionin publik për luftën në Ukrainë, tashmë ka struktura etnike, ideologjike, fetare që janë aty, si dhe forca të brendshme, rajonale dhe të jashtme që kanë idenë ta ndalojnë Malin e Zi në rrugën euroatlantike. Siç ishte rasti me anëtarësimin në NATO, tani plani është ta ndalojnë ose të paktën ta dekurajojnë në rrugën evropiane”, theksoi Geoana.

Ai tha se Malit të Zi duhet t’i sigurohet mbështetje shtesë në hapësirën kibernetike dhe përshëndeti përpjekjet e aleatëve të NATO-s dhe vendeve të BE-së që po e ndihmojnë vendin në mënyrë dypalëshe.

“Mendoj se Mali i Zi, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë nevojë për ndihmën tonë, sepse ka një fushatë shumë të fortë për t’i ndalur në rrugën e tyre drejt BE-së, me agjentë (prokurë) brenda dhe forca jashtë vendit që e bëjnë në mënyrë të qëllimshme”, tha ai.

Geoana gjithashtu vlerësoi se niveli i paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor nuk është i rrezikshëm, por paralajmëroi se “nuk e di se si një shkëndijë mund të shkaktojë zjarr”.

“Rusia mund të jetë e interesuar të na krijojë probleme edhe në atë fushë”, theksoi Geoana.

SHARE