SESHARDI: PAGA MINIMALE DHE MESATARE MUND TË RRITET, POR AJO DUHET TË JETË E QËNDRUESHME FISKALISHT

Në konferencën e përbashkët për media të FMN-së, Bankës Qendrore dhe Qeverisë, Seshardi ka bërë të ditur se paga minimale dhe mesatare mund të rritet, por duhet të jetë e qëndrueshme fiskalisht.

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar nuk e ka parë programin “Evropa Tani 2”, kështu që organizata nuk mund ta komentojë atë në detaje, tha shefi i Misionit të FMN-së për Malin e Zi Srikant Seshadri.

“Nuk e kemi parë planin e detajuar të qeverisë, ndaj nuk mund ta komentoj. Mendimi ynë është se rritja e pagave duhet të trajtohet duke ruajtur stabilitetin fiskal. Për rritjen e pagave, Qeveria duhet të bëjë më shumë përpjekje dhe të bëjë analiza dhe hulumtime shtesë, si dhe të gjitha këto t’ia prezantojë publikut. Unë kam besim të plotë dhe shpresoj bazuar në bisedën me përfaqësuesit e qeverisë se ata do të kenë parasysh qëndrueshmërinë fiskale”, tha Seshardi.

Nga kjo organizatë ndërkombëtare, në rekomandimet e tyre kanë theksuar se ruajtja e stabilitetit fiskal duhet të jetë prioritet në periudhën e ardhshme.

“Diversifikimi ekonomik është i rëndësishëm për uljen e ndjeshmërisë së Malit të Zi ndaj goditjeve ekonomike. Pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është një motor i pashfrytëzuar i rritjes”, thuhet në rekomandimet e FMN-së.

Kryeministri Millojko Spajiq tha se rekomandimet e FMN-së do të jenë bazë për zhvillimin e strategjisë së ardhshme fiskale.

I pyetur se kur mund të pritet ndarja e këtij viti për financimin e nevojshëm buxhetor, Spajiq tha se kjo do të ndodhë kur të ketë një moment të mirë në tregun financiar.

Guvernatorja Irena Radoviq theksoi se sistemi bankar është i shëndetshëm dhe me likuiditet të lartë.

“Aktivet e sistemit bankar kanë arritur vlerën prej 6.74 miliardë euro, depozitat janë në nivelin 5.5 miliardë euro, kurse kreditë janë 4.1 miliardë euro. Është evidente edhe një rënie prej 0,72 pikë përqindjeje në totalin e kredive me probleme, gjë që tregon se BQMZ ka zbatuar masa shumë të suksesshme që japin rezultate”, tha Radoviq.

SHARE