KRYETARJA E BERZH-it NGA E MËRKURA VIZITON MALIN E ZI

Kryetarja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso do të vizitojë Malin e Zi. Renaud-Basso, e cila për herë të parë viziton Malin e Zi, tha se është një vend ku BERZH ka arritur rezultate të jashtëzakonshme që nga rivendosja e pavarësisë.

“Për ne Mali i Zi është një destinacion i rëndësishëm investimi në të cilin deri më tani kemi investuar mbi 800 milionë euro përmes 86 projekteve. Vetëm vitin e kaluar, BERZH investoi 80 milionë në Mal të Zi dhe mobilizoi 25 milionë për të mbështetur investimet në sektorin publik dhe privat”, tha Renaud-Basso.

Ajo bëri të ditur se gjatë vizitës do të përsërisë se BERZH do t’i ofrojë mbështetje Malit të Zi dhe zbatimit të reformave dhe investimeve të nevojshme në drejtim të anëtarësimit në BE në përputhje me prioritetet strategjike të bankës, siç është plani i tranzicionit të gjelbër, përmirësimi i kapaciteteve dhe lidhjes së sektorit privat, duke përfshirë transportin ndërkufitar, energjinë dhe lidhjen digjitale.

Gjatë vizitës, Renaud-Basso do të ketë takime në nivelin më të lartë me përfaqësues të Qeverisë dhe presidentin. Ndër të tjera, ajo do të takohet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe klientë ekzistues të sektorit privat, përfshirë bankat lokale, për të diskutuar mbështetjen e mëtejshme për sektorin privat.

SHARE