BB: RRITJA EKONOMIKE 3.4%, TREND I MIRË NË DY MUAJT E PARË

Ekonomia malazeze do të rritet me 3,4 për qind këtë vit, ndërsa 2,8 për qind vitin e ardhshëm, vlerësoi Banka Botërore (BB), dhe tha se forcimi i rritjes është i nevojshëm për të arritur konvergjencë më të shpejtë me Bashkimin Evropian.

Ekonomisti i BB për Malin e Zi, Millan Llakiçeviq, tha se performanca ekonomike në Mal të Zi ishte më e forta në rajon.

“Pas pandemisë që shkaktoi një recesion historik, ne pamë një përmirësim të aktivitetit ekonomik që ishte mesatarisht 8.5 për qind nga viti 2021 deri në vitin e kaluar. Kjo është norma e rritjes reale”, tha Llakiçeviq gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se shkalla më e lartë e rritjes ekonomike në Mal të Zi vitin e kaluar ishte gjashtë për qind dhe se rritja është nxitur nga rritja e konsumit privat, fuqizimi i turizmit dhe i mbështetur nga fluksi i të huajve.

“Aktiviteti i fortë ekonomik është reflektuar në tregun e punës, me punësimin që ka arritur nivelin më të lartë historik. Nga viti 2021 deri në vitin e kaluar, mund të shihet përparim i vazhdueshëm dhe i fuqishëm. Shkalla e aktivitetit prej 64 për qind e qytetarëve mbi 15 vjeç është shkalla më e lartë e aktivitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Llakiçeviq.

Ai tha se ky trend ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të këtij viti dhe se një rritje e fortë e punësimit vërehet në të gjithë sektorët.

Ai tha se pagat u rritën vitin e kaluar për 2.3 për qind, por ato janë nxitur nga rritja e pagave në sektorin publik.

Raporti jep rekomandime për aktivitete në tre fusha kryesore për ekonominë e gjelbër dhe forcimin e qyteteve të Ballkanit Perëndimor.

SHARE