TREGJET FINANCIARE RIMËKËMBEN, NAFTA MBI 100 DOLLARË PËR FUÇI

Tregjet financiare në Evropë, Azi dhe SHBA shënuan rritje të premten, pas rënieve të një dite më parë, pavarësisht pasigurisë së shkaktuar nga tensionet në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet për të ardhurat e kompanive të mëdha të teknologjisë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni po zhvillon bisedime produktive me Teheranin, ndërsa raportimet për një sulm të mundshëm ndikuan në rritjen e çmimit të naftës Brent, e cila u tregtua rreth 103 dollarë për fuçi.

Ndërkohë, raportimet kontradiktore për të ardhurat e pritshme të OpenAI shkaktuan shqetësime në sektorin e teknologjisë, ku aksionet e kompanive të mëdha pësuan rënie përpara se të rikuperoheshin pjesërisht.

Investitorët tashmë presin rezultatet financiare të kompanive të teknologjisë për të vlerësuar vazhdimin e investimeve në inteligjencën artificiale.

Në një zhvillim tjetër, ministrat e financave të Bashkimit Evropian ranë dakord të forcojnë mbikëqyrjen e tregjeve financiare përmes zgjerimit të kompetencave të Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA).

SHARE