MALI I ZI PREZANTON UDHËZUESIN PËR HARMONIZIMIN E LEGJISLACIONIT ME BE-në

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, në bashkëpunim me projektin “Qendra për Këshillim Strategjik dhe Ligjor për Malin e Zi” (PLAC), të financuar nga Bashkimi Evropian, ka prezantuar udhëzuesin për përafrimin, transpozimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së në kuadrin ligjor të vendit.

Udhëzuesi u dedikohet kryesisht ministrive dhe institucioneve qeveritare që merren me hartimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, duke ofruar udhëzime praktike për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni evropian.

Kryenegociatori i Malit të Zi me BE-në, Predrag Zenoviq, theksoi se publikimi i këtij dokumenti vjen në një moment të rëndësishëm, kur vendi po intensifikon aktivitetet në rrugën drejt anëtarësimit. Ai nënvizoi se Mali i Zi duhet të përgatitet jo vetëm për përmbushjen e kërkesave para anëtarësimit, por edhe për përgjegjësitë që do të ketë si shtet anëtar i Unionit.

Nga ana tjetër, udhëheqësja e projektit PLAC, Tatjana Tomiq, vlerësoi se udhëzuesi vjen në fazën përfundimtare të negociatave dhe do t’u shërbejë institucioneve edhe pas anëtarësimit, pasi harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së do të vazhdojë përmes zbatimit, monitorimit dhe përditësimit të vazhdueshëm të ligjeve.

SHARE