KURTI E VUÇIQ ‘SHERR’ NË OKB / PËRPLASEN PËR E DINARIN, SHBA KËRKON PËRMBAJTJE

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u përplasën keq me njëri tjetrin për çështjen e dinarit serb ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, që kishte kërkuar seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar për zhvillimet në Kosovë, akuzoi kryeministrin Kurti se po pamundëson jetën e serbëve që jetojnë atje.

“Institucionet e Kosovës kanë krijuar kushte të padurueshme të jetesës për serbët dhe tani ata po ndërmarrin sulme gjithëpërfshirëse, sistematike kundër civilëve serbë, si dhe po i përndjekin ata. Një situatë e tillë, në mungesë të një reagimi të duhur, mund të shkaktojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Serbët në Kosovë varen nga mbështetja financiare e buxhetit të Serbisë për pensionet dhe shërbimet e tjera bazë, përfshirë ato të kujdesit mjekësor dhe social, si dhe të arsimit. Sipas tij, vendimi për heqjen nga qarkullimi të dinarit është “goditje e drejtpërdrejt ndaj mbijetesës së serbëve dhe të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë,” tha presidenti serb.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili për herë të parë mori pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i hodhi poshtë si të pavërteta akuzat e Vuçiq dhe tha se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një tranzicion për serbët e Kosovës rreth përdorimit të dinarit serb.

“Beogradi po i bie këmbanës… për shkak se po ndalojmë thasë parash në kufi. Po ankohen jo për shkak se janë të brengosur për fatin e serbëve të Kosovës, por për shkak se është gati t’iu mbyllet kanali fitimprurës i parasë së jashtëligjshme në veri të Kosovës. Serbia po sillet si “kali i Trojës i Kremlinit” në rajon dhe rregullorja në asnjë mënyrë nuk ndalon dhe as nuk pengon qeverinë e Serbisë që t’u japë përkrahje financiare serbëve të Kosovës. Çfarëdo pretendimi për të kundërtën nuk është asgjë më shumë se propagandë e rreme që ka për qëllim të nxisë tensione etnike. Beogradi nuk mund të lejohet pafundësisht të financojë kriminelët dhe terroristët e tij në Kosovë me shuma parash që qarkullojnë lirshëm dhe jashtëligjshëm në vendin tonë,” tha Kurti.

Ambasadorja amerikane në OKB Linda Thomas-Greenfield kritikoi Prishtinën për veprime të pakoordinuara dhe Beogradin për shmangie të përgjegjësisë për sulmin në Banjskë vitin e kaluar. Ajo u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga “veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese”.

SHARE