Pas protestave masive, shkollat e mesme në Francë kanë nisur gradualisht procesin mësimor, ndërsa qeveria u ka bërë thirrje nxënësve të ndërpresin bllokimet dhe të zgjedhin dialogun.
Sipas Ministrisë së Arsimit, rreth 86 për qind e shkollave kanë hapur dyert, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë e bllokuar nga protestuesit.
Në Paris, situata mbetet e tensionuar, pasi në disa shkolla nxënësit vazhdojnë protestat dhe hyrjet janë bllokuar me kosha mbeturinash.
Protestat nisën në mesin e shtatorit në periferi të Parisit dhe u përhapën edhe në zona të tjera të vendit, kryesisht për shkak të kushteve të këqija të godinave, klasave të mbipopulluara dhe mungesës së mësuesve.
Nxënësit kërkojnë përmirësimin e kushteve në shkolla dhe më shumë burime për arsimin, ndërsa autoritetet kanë premtuar se do të shqyrtojnë kërkesat e tyre dhe u kanë bërë thirrje protestuesve të rikthehen në mësim.








