KURTI: KOSOVA KA INSTITUCIONE FUNKSIONALE, NA PRESIN SHUMË PUNË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me presidenten e re të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Pas takimit, Kurti e cilësoi atë si të përzemërt dhe theksoi zotimin e përbashkët për të punuar në interes të shtetit dhe qytetarëve.

“Ishte një takim i parë me presidenten e re të Republikës, profesoren Justina Shiroka-Pula, mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha e të përditshme për interesin shtetëror e publik, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim”, u shpreh Kurti.

Kryeministri tha se e ka falënderuar presidenten për pranimin e kandidaturës, ndërsa theksoi se vendin e presin shumë sfida shtetërore.

“Republika e Kosovës më në fund pas më shumë se një vit e gjysmë i ka institucionet gjithashtu funksionale, dhe tash natyrisht që nuk kemi kohë për të humbur dhe duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi ai.

Kurti bëri të ditur se gjatë takimit janë prezantuar edhe ekipet e të dyja institucioneve.

SHARE