KONJUFCA: PA ZGJIDHJE BRENDA KUSHTETUTËS, S’KEMI ÇKA KËRKOJMË NË DIALOG

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me statutin e Asociacionit, shtoi se sa i përket kësaj çështjeje Kosova, për fat të keq, ka trashëguar një prej vendimmarrjeve nga qeveritë e kaluara.

Konjufca shprehu kritika ndaj mënyrës së përzgjedhjes së komisionit për përpilimin e draft-statutit të Asociacionit, që, për pasojë, solli shkeljen e ligjeve të Kosovës, Kushtetutës, por edhe të betimit të deputetit.

“Statuti që është paraqitur, ishte sipas urdhrit të Vuçiqit, sepse është statut me një përpjekje për të krijuar një republikë serbe brenda Kosovës e kjo është antikushtetuese dhe mendoj se kurrfarë pozicioni antikushtetues mund me qenë bazë për negociata, sepse nuk ka logjikë të niset nga një bazë që është e kundërt me Kushtetutën e të mbërrijë te Kushtetuta. Pikënisja duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Ai më tej shtoi se nëse faktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, nëse BE nuk mendon që zgjidhja të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, atëherë  Kosova nuk ka çka të kërkojë në atë dialog.

Ndërkaq kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në pyetjen nëse po zbehet roli i BE-së karshi Serbisë, kur ajo shkeli marrëveshjen e Ohrit , duke kundërshtuar anëtarësimin e  Kosovës ne KiE, tha se për një proces të tillë nevojitet durim, se disa gjëra nuk bëhen me shpejtësi, derisa shtoi se pas kësaj vizite do të shkojë në Serbi dhe do ta diskutojë këtë çështje.

SHARE