FMN: ÇMIMET E ENERGJISË MBETEN TË LARTA EDHE NËSE KONFLIKTI PËRFUNDON

Çmimet e larta të energjisë, të shkaktuara nga lufta me Iranin, ka të ngjarë të vazhdojnë edhe për një periudhë më të gjatë, paralajmëroi sot drejtoresha e përgjithshme e Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.

“Presionet mbi çmimet mund të rriten më tej, pasi kërkesa për energji rritet me afrimin e sezonit të ftohtë në hemisferën veriore dhe ndërsa shtetet përpiqen të rimbushin rezervat e tyre të karburanteve”, tha Georgieva në fjalimin e përgatitur për një aktivitet në Singapor, përpara takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

Ajo tha se edhe nëse lufta përfundon së shpejti, çmimet e larta të energjisë mund të vazhdojnë për një kohë të caktuar. Sipas saj, kontratat e së ardhmes për naftën “Brent” tregojnë se tregjet presin që çmimet e naftës të mbeten të larta deri në vitin 2027.

Takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore pritet të nisin javën e ardhshme në Bangkok.

Georgieva paralajmëroi se situata e vështirë në tregjet e energjisë dhe rritja e shpejtë e sektorit të inteligjencës artificiale (IA) po shtojnë presionin mbi çmimet.

Edhe tarifat doganore, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe nivelet e larta të borxhit publik, mund të shkaktojnë rritje të mëtejshme të inflacionit.

“Ky mund të jetë një moment i përshtatshëm, që shumë vende të ndjekin një politikë monetare më të kujdesshme dhe më të orientuar drejt frenimit të inflacionit”, tha Georgieva.

Ajo vlerësoi Rezervën Federale të SHBA-së, Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën e Japonisë, të cilat tashmë kanë rritur normat bazë të interesit.

Në të njëjtën kohë, Georgieva kritikoi politikat e shpenzimeve dhe të buxhetit të ndjekura deri tani nga disa ekonomi të zhvilluara.

Rritja e normave të interesit po i bën më të larta edhe normat e interesit për periudha të shkurtra, duke bërë që marrja e borxhit të kushtojë më shumë.

Pavarësisht rritjes së madhe të borxhit publik në të gjithë botën, ajo tha se vendet e zhvilluara me borxhe të larta nuk po marrin masa të mjaftueshme për ta ulur atë.

Sipas saj, nevojiten urgjentisht plane të besueshme për uljen graduale të borxhit dhe kontrollin e shpenzimeve publike gjatë viteve të ardhshme.

SHARE