SHQIPËRIA DHE ITALIA NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN PËR NJOHJEN E PENSIONEVE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, ndërsa mes dy vendeve është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të kontributeve për sigurimet shoqërore.

Ministri Hasani është takuar me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani në Romë, ndërsa dy ministrat nënshkruan marrëveshjen për sigurimet shoqërore.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Hasani deklaroi se është një moment shumë i rëndësishëm për gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, por dhe të gjithë italianët që punojnë në Shqipëri.

“Jam shumë i gëzuar që jo vetëm që jam personi që firmos këtë (marrëveshjen), por dhe për gjithë bashkëpunimin që kemi pasur me Ministrinë e Jashtme të Italisë dhe gjithë kolegët që kanë kontribuar për këtë moment të rëndësishëm”, tha Hasani, sipas videos së publikuar në profilin e tij në rrjetet sociale.

Duke e konsideruar marrëveshjen si shumë të rëndësishme, Tajani deklaroi se marrëveshja garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri apo të punëtorëve shqiptarë në Itali për pensionet.

“Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës dhe anasjelltas ofron për shumë persona një siguri dhe perspektivë pozitive për të ardhmen”, u shpreh Tajani.

Sipas autoriteteve shqiptare, marrëveshja Shqipëri-Itali për sigurimet shoqërore u garanton qytetarëve të të dy vendeve të drejtën për të gëzuar të gjitha përfitimet e kontributeve të tyre, lehtëson aksesin në këto përfitime dhe lejon pagesën e pensioneve jashtë vendit.

Gjatë vizitës në Itali, ministri Hasani mori pjesë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

SHARE