PRESIDENTI MACRON PRITI NË TAKIM KRYEMINISTRIN E MALIT TË ZI, MILLOJKO SPAJIQ

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, ka takuar në Pallatin Elysee presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të një vizite pune në Paris.

Gjatë takimit u theksuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe kryeministri Spajiq falënderoi për mbështetjen që Franca i jep Malit të Zi në rrugën drejt BE-së.

Ai theksoi vendosmërinë e Malit të Zi për të qenë gati për anëtarësim edhe para vitit 2030 dhe se ritmi aktual i reformave është garanci e përkushtimit të Qeverisë së 44-të për këtë qëllim.

Presidenti Macron vuri në dukje se Franca i jep mbështetje të plotë Malit të Zi në integrim dhe shprehu gatishmërinë për mbështetje, veçanërisht në nivel ekspertësh.

„Një takim fenomenal me presidentin Macron, i cili na përcolli mbështetjen e madhe të Francës në rrugën tonë drejt BE-së. Biseduam edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, para së gjithash në planin ekonomik. Ne folëm kryesisht për një dokument ombrellë strategjik, i cili do të ishte baza për partneritetin e dy vendeve dhe Presidenti Macron e pranoi një iniciativë të tillë,“ tha Spajiq pas takimit dhe shtoi: „Dokumenti do të vendoset në katër shtylla, përkatësisht: mbrojtje, shëndetësi, infrastrukturë dhe ekologji. Së pari do të punohet për mbrojtjen dhe tashmë në mars do të takohen ministrat e Shëndetësisë për projektet në atë fushë. Do të bashkëpunojmë edhe në projekte infrastrukturore, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e autostradave dhe infrastrukturës hekurudhore në gjashtë vitet e ardhshme, e gjithë kjo do të forcojë me shpejtësi bashkëpunimin mes dy vendeve!“

Kryeministri Spajiq ftoi presidentin Macron të vij në Mal të Zi për të festuar 20 vjetorin e rivendosjes së pavarësisë dhe ofroi organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Mal të Zi me atë rast, gjë që presidenti francez e pranoi.

Gjatë takimit, kryeministri i Malit të Zi përshëndeti ndjeshmërinë e veçantë të Presidentit Macron për sfidat aktuale të sigurisë dhe humanitare në mbarë planetin.

Në takim u konstatua se Mali i Zi dhe Franca kanë pikëpamje konvergjente në kontekstin e konfliktit izraelito-palestinez, si dhe të luftës në Ukrainë.

Po ashtu, u theksua se Mali i Zi mund të jetë një faktor jashtëzakonisht i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për shkak të marrëdhënieve të mira që ka me fqinjët.

U fol edhe për rëndësinë e luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Kryeministri Millojko Spajiq u prit me nderimet më të larta shtetërore, ndërsa aktiviteti u shoqërua nga ekipe të shumta gazetareske franceze.

SHARE