Foto: Shutterstock
Komisioni Evropian nuk planifikon t’ia kufizojë Malit të Zi të drejtën e vetos pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, sipas burimeve të agjencisë MINA.
Mali i Zi do të ketë të njëjtat të drejta si shtetet e tjera anëtare, përfshirë në politikën e zgjerimit, ndërsa pritet vetëm që të shmangë përdorimin e vetos në mosmarrëveshjet dypalëshe me vendet kandidate.
Ky parim do të kërkonte marrëveshje mes shteteve anëtare dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Komisioni Evropian pritet të prezantojë edhe një udhërrëfyes të veçantë për Malin e Zi, i cili, sipas burimeve, do të jetë i shkurtër pasi vendi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave.
KE-së i duhen edhe rreth tre deri në katër javë për të përfunduar vlerësimet për të gjitha kapitujt, pas së cilës vendimi për mbylljen e tyre do t’u takojë shteteve anëtare.








