BE E SHBA PARALAJMËROJNË TRAZIRA, THIRRJE KOSOVËS: KUJDES ME VEPRIMET E NJËANSHME

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Kosovës të shmangë veprimet e njëanshme, të cilat mund të rrisin tensionet duke shtuar kështu ndjeshëm rrezikun e rikthimit të trazirave në rajon, të cilat komuniteti ndërkombëtar është përpjekur me shumë mund që t`i shmangë.

Reagimi i tyre pason veprimet e fundit të autoriteteve kosovare që kanë ndërmarrë një sërë operacionesh duke mbyllur disa zyra paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, në funksion të komunave paralele. Vetëm gjatë fundjavës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se kanë mbyllur komunat e paligjshme që kanë shërbyer për Pejën, Istogun e Klinën. Brukseli reagoi duke paralajmëruar se e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë”.

Sipas BE-së, “kjo do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë çast”. “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut në Bruksel”.

Pas mbylljes së zyrave paralele, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, u shpreh se “masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”. Ndërsa ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një deklarate për media akuzoi qeverinë e Kosovës që, siç tha ai, me “veprimet e fundit po nxit tensione etnike në vend”, veprime këto që sipas tij, “po e kufizojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.

SHARE