BE: QENDRA PARABURGIMI PËR MIGRANTËT NË VENDE TË TRETA

BE synon të ashpërsojë politikën e azilit. Përveç rregullave më të rrepta, do të jetë i mundur edhe kthimi i aplikuesve të refuzuar në vende të treta. Aktualisht, praktikisht nuk ka shtete partnere për këtë projekt.

BE dëshiron të rrisë dhe të përshpejtojë  dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar në të ardhmen, kryesisht në tre mënyra: së pari, procedurat e dëbimit brenda BE-së duhet të bëhen më efikase, përmes njohjes së ndërsjellë të vendimeve për refuzimin e aplikimeve për azil dhe zbatimit të tyre nga të gjitha vendet e BE. Së dyti, përfitimet që u jepen atyre që duhet të largohen nga vendi duhet të reduktohen në mënyrë të njëtrajtshme, nëse ata nuk bashkëpunojnë. Gjithashtu, duhet të zgjatet edhe koha e paraburgimit në pritje të dëbimit.

Dhe së treti: rruga është politikisht e qartë për krijimin e qendrave të paraburgimit në vende të treta. Azilkërkuesit e refuzuar, të cilëve u dështon dëbimi, për shembull sepse vendi i tyre i origjinës refuzon t’i pranojë përsëri, mund të transferohen atje. Miratimi formal nga shtet anëtare dhe Parlamenti Evropian ende nuk është dhënë.

Rregullorja e Kthimit përbën kështu një plotësim vendimtar të reformës së azilit të BE-së, e cila do të hyjë plotësisht në fuqi më 12 qershor. Në fakt, vitin e kaluar, vetëm një në katër persona që duhej të largoheshin nga BE (28%) u larguan vërtet nga territori. “Falë këtyre rregullave të reja, ne më në fund kemi më shumë kontroll për të siguruar që kthimet të zbatohen në mënyrë sistematike. “Kjo është ajo që presin qytetarët – dhe kjo është ajo që po u ofrojmë atyre,” tha Magnus Brunner, Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme.

SHARE