Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka akuzuar forcat ruse se kanë shfrytëzuar armëpushimin humanitar gjashtëditor në qytetin Oleshky, në jug të vendit, për të përforcuar pozicionet e tyre ushtarake.
Armëpushimi, i cili hyri në fuqi më 27 tetor, ishte ndërmjetësuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, me përfshirjen e Papa Leonit, me qëllim mundësimin e dërgimit të ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve nga qyteti nën kontrollin rus.
Sipas Melania Trump, gjatë kësaj periudhe janë evakuuar pothuajse 800 persona.
Megjithatë, pala ukrainase pretendon se gjatë armëpushimit Rusia ka kryer rotacione të trupave, ka forcuar pozicionet ushtarake, ka shtuar masat kundër dronëve dhe ka intensifikuar furnizimin me municione.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës deklaroi se forcat ukrainase e respektuan armëpushimin dhe vepruan në përputhje me marrëveshjet e arritura, ndërsa Rusia e shfrytëzoi këtë pauzë për të përforcuar pozicionet e saj.
Armëpushimi përfundoi të dielën në orën 21:00 GMT dhe konsiderohet pauza më e gjatë lokale në luftime që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë, në vitin 2022.









