NËNTË TË VDEKUR PAS RRËZIMIT TË NJË AVIONI NË FLORIDA

Një avion privat i tipit “Learjet 60” është rrëzuar të dielën në një lagje në jug të Floridës, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord.

Aksidenti ndodhi në zonën Crest-haven, në qarkun Palm Beach, më pak se 11 kilometra larg rezidencës së presidentit amerikan Donald Trump, “Mar-a-Lago”.

Sipas Sekretarit amerikan të Transportit, Sean Duffy, avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, me destinacion Bahamasin.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, e cilësoi ngjarjen si një aksident katastrofik, ndërsa bëri të ditur se nuk kishte raportime për persona të lënduar në tokë.

Pas aksidentit, rreth 600 banorë të zonës u evakuuan dhe u dërguan në qendra strehimi.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke u përplasur me shpejtësi të madhe në tokë, duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm dhe zjarr.

Sipas një regjistrimi audio të publikuar pas ngjarjes, në kabinën e pilotit fillimisht raportohej për turbulenca, ndërsa pak sekonda më vonë ishte shpallur gjendja e emergjencës, me paralajmërimin se avioni po humbiste lartësi me shpejtësi.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB) kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Në zonë, në kohën e ngjarjes, ishin raportuar edhe stuhi.

SHARE