Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh, me mbi 1 miliard euro të dedikuara për investime kapitale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për herë të parë të hyrat buxhetore pritet të tejkalojnë 4 miliardë euro, ndërsa ekonomia parashikohet të rritet me 4.2 për qind gjatë vitit 2027.
Për paga dhe shtesa janë ndarë 1.085 miliardë euro, ku përfshihet edhe paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik dhe rritja e vlerës së koeficientit të pagës nga 110 në 120 euro, nga 1 korriku 2027.
Ndërkaq, 588.6 milionë euro janë paraparë për mallra dhe shërbime, ndërsa 1.446 miliardë euro për subvencione dhe transfere, përfshirë shtesat për fëmijë dhe pensionet.
Investimet kapitale do të arrijnë në 1.07 miliardë euro, me fokus në mbrojtje, siguri, shëndetësi, infrastrukturë rrugore dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Deficiti buxhetor parashihet të jetë 266 milionë euro, apo 2 për qind e Bruto Produktit Vendor.
Projektbuxheti u miratua në mbledhjen e Qeverisë pa vota kundër dhe pa abstenime.









