SHQIPËRI, ENERGJIA MË E SHTRENJTË NË RAJON

Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Ballkan, çmim i cili parashikohet të rritet gjatë vitit të ardhshëm. Kjo pasi qeveria ka vendosur të shumëfishojë taksat për prodhuesit e energjisë elektrike në vend, gjë që do të reflektohet në faturën e çdo konsumatori. Sipas Eurostat, Shqipëria ka çmimet më të larta të energjisë në rajon pas Malit të Zi. Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri, duke përfshirë edhe taksat, rezulton të jetë 0.94 euro për kwh, më shtrenjtë sesa në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë apo edhe në Kosovë, ku çmimet e energjisë rezultojnë të jenë më të ulëtat në rajon. Eurostat shpjegon se çmimet e energjisë kanë ndryshuar ndjeshëm në vitin 2022, por në shumë vende të Europës, çmimi për konsumatorët familjarë ka pësuar rënie për shkak të politikave subvensionuese që kanë aplikuar qeveritë. Ndërkohë, në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka planifikuar të shtojë një taksë speciale për prodhuesit e energjisë elektrike që e eksportojnë. Ky vendim vjen nën argumentin se për shkak të çmimeve shumëfish të rritura gjatë vitit 2022, prodhuesit e energjisë kanë realizuar fitime pa rritje kostosh, prandaj do të tatohen për këto fitime shtesë me tarifë 33 përqind. Nga kjo taksë buxheti i shtetit do të arkëtojë në total 8.3 miliardë lekë. Rritja e nivelit të taksave shton kostot për sektorin prodhues të energjisë duke ndikuar kështu direkt edhe në konsumatorët familjarë dhe jo familjarë.

SHARE