TË PAKTËN 36 PERSONA TË VDEKUR NGA PËRPLASJA E TRENAVE NË GREQI

Një tren me pasagjerë është përplasur me një tren mallrash në veri të Greqisë, duke lënë të vdekur 36 persona, ndërsa të paktën 85 janë plagosur.

Zyrtarët e spitalit në qytetin e afërt Larisa, kanë thënë se të paktën 25 persona kanë lëndime serioze.

Aksidenti ka ndodhur në qytetin Tempe, pak para mesnatës.

Disa pjesë të trenit kanë dalë nga binarët dhe kanë marrë flakë. Treni me rreth 350 pasagjerë ka qenë duke udhëtuar nga Athina për në qytetin verior, Selanik.

“Kjo është një tragjedi e paimagjinueshme. Mendimet tona janë me familjarët e viktimave”, ka thënë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pasi e ka vizituar zonën e aksidentit.

“Mund të garantoj për një gjë, ne do ta gjejmë shkakun e kësaj tragjedie dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi që të mos ndodhë më kurrë”.

Presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, e ka ndërprerë vizitën në Moldavi, për t’u kthyer në vendin e saj.

Të mbijetuarit kanë thënë se shumë pasagjerë kanë dalë nga dritaret për shkak të presionit të lartë.

SHARE