Qeveria e Malit të Zi, miratoi dje Propozim Rregulloren për informimin e konsumatorëve për ushqime duke specifikuar më saktë kushtet për sigurimin e informacioneve mbi identitetin, përbërjen, pronat ose karakteristikat e tjera të ushqimit, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe përdorimin e sigurt të ushqimit si dhe të pronave ushqyese.
Për shkak të informatave të paqarta dhe të rreme, parashikohen gjoba prej 500 deri në 20,000 euro.
“Rregullorja e re do të kontribuojë në funksionimin normal të tregut, rrjedhjen e lirë dhe vendosjen në treg të ushqimit të prodhuar, si dhe promovimin e produkteve cilësore”, është kumtuar pas seancës së Qeverisë së MZ.
Rregullorja përcakton në detaje se çfarë informacioneve duhet të gjendet mbi ushqime, siç janë: mënyra e paraqitjes së informacioneve, sasia e përbërësve, paralajmërimet, afati i ruajtjes, kushtet e magazinimit, vendi i origjinës si dhe udhëzimet për përdorim. Është specifikuar se një person juridik do të dënohet me gjobë nëse në ushqime nuk jep informacione të sakta, të qarta dhe lehtësisht të kuptueshme , të cilat nuk guxohet të jenë mashtruese, pasiqë nëse informacionet e detyrueshme për ushqimet e paketuar nuk janë lehtësisht të dukshme dhe nuk ndodhen në paketime ose në etiketën e bashkangjitur të paketimit, do të konsiderohen si mashtrime.
Gjithashtu do të gjobitet edhe prodhuesi që vendos ushqime në treg me një emër që nuk i lejon konsumatorit një njohuri të plotë të llojit të ushqimit dhe një dallim të qartë nga ushqimi me të cilin mund ta zëvendësojnë atë. Gjithashtu është e dënueshme nëse emri i ushqimit zëvendësohet me emrin e ushqimit që mbrohet nga emri i markës ose emri i rremë dhe nëse prodhuesi i ushqimit nuk jep informacione për përbërësit ose produktet që mund të shkaktojnë alergji ose intolerance./TV BOIN/