KOS: PËRFUNDIMI I NEGOCIATAVE TË MALIT TË ZI DERI NË FUND TË VITIT, SINJAL I RËNDËSISHËM PËR RAJONIN

Foto: BE

Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Mali i Zi dhe Shqipëria janë ndër vendet kryesuese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky zhvillim po konkretizon vizionin e zgjerimit të përcaktuar 23 vjet më parë në Selanik.

Në një takim të grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Athinë, Kos theksoi se tani vëmendja duhet të përqendrohet në përparimin e mëtejshëm të të gjitha vendeve të rajonit drejt integrimit evropian.

Ajo vlerësoi se suksesi i Malit të Zi, i cili mund të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti, përbën një sinjal të rëndësishëm dhe burim motivimi për të gjithë rajonin.

Në takimin në Athinë morën pjesë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ndërsa Serbinë e përfaqësoi sekretarja shtetërore Nevena Jovanoviq.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor përbëhet nga tetë shtete anëtare të BE-së: Austria, Çekia, Greqia, Kroacia, Italia, Hungaria, Sllovakia dhe Sllovenia, të cilat mbështesin përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.

SHARE