LISTA SHQIPTARE DO TË HARTOJË PLATFORMËN ME KËRKESAT JETIKE PËR SHQIPTARËT

Lista Shqiptare “Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj” ka mbajtur dje mbledhjen në të cilën është dakorduar që të hartohet platforma për negociatat e mundshme në të cilën do të përfshihen kërkesat jetike të shqiptarve në Mal të Zi. Bartësi i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, përmes një kumtese theksoi se në këtë takim u shqyrtuan rezultatet e zgjedhjeve të 30 gushtit, situata aktuale pas shpalljes së rezultateve zyrtare, si dhe kontaktet dhe bisedimet e bëra nga bartësit e listës dhe përfaqësuesit e subjekteve të Listës në periudhën paszgjedhore. Ai gjithashtu njoftoi se u dakordua për të krijuar trupin punues i cili do të përpilojë platformën për negociatat e mundshme për qeverisje e cila do të përbëjë të gjitha çështjet dhe kërkesat jetike të cilat i kanë bërë subjektet shqiptare siç janë Valdanosi, decentralizimi i pushtetit, planifikimi hapsinor, privatizimet apo përcaktimi i drejtë i vijës bregdetare, por edhe sfidat e reja të popullit shqiptar në Mal të Zi të cilat kërkojnë vëmendje dhe dedikim të veçantë të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi. Nga kjo listë theksohet se për shqiptarët mund të vendosin dhe pyeten vetëm shqiptarët.

SHARE