Foto: BE
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë riafirmuar përkushtimin e plotë dhe të qartë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përshpejtojnë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, si dhe të bëjnë përpjekje shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe çështjeve nga e kaluara.
Në Deklaratën e miratuar në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, u theksua se zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar dhe se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit është në interes të përbashkët.
Deklarata u mbështet nga të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Serbisë.
Në dokument thuhet se samiti i Brukselit, i cili pasoi atë të mbajtur në Mal të Zi në qershor të vitit 2026, konfirmoi edhe një herë rëndësinë strategjike në rritje të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit, si dhe përfitimet që këto marrëdhënie sjellin për qytetarët.
“Situata gjithnjë e më e paqëndrueshme gjeopolitike, e karakterizuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca gjithnjë e më e madhe globale, dëshmon nevojën për lidhje edhe më të forta ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar”, thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit evropianë theksuan se zgjerimi përbën një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Ata u kërkuan vendeve të rajonit të përshpejtojnë zbatimin e reformave vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushat themelore, si dhe të përmbushin detyrimet e nevojshme për përparimin drejt anëtarësimit në BE.
Gjithashtu, liderët evropianë përshëndetën dinamikën dhe përparimin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian që nga samiti i fundit.
Në deklaratë nënvizohet se përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reforma të besueshme, kushte të drejta dhe rigoroze dhe në parimin e meritave individuale, është në interes të përbashkët.
Ndërkohë, edhe vetë Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për zgjerimin dhe të zbatojë reformat e nevojshme për funksionimin e një Unioni më të madh.










