Foto: MZHE / Ministarstvo ekonomskog razvoja
Integrimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian duhet të sjellë përfitime konkrete ekonomike, investime të reja, vende cilësore pune dhe mundësi më të mëdha për përfshirjen e kompanive vendase në tregun e përbashkët evropian.
Kështu deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në një takim ministror në Tiranë, kushtuar konkurrueshmërisë, transformimit industrial dhe integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit, Gjeloshaj foli për mundësitë e rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë malazeze, tërheqjen e investimeve, modernizimin e prodhimit dhe përfshirjen më të madhe të kompanive vendase në zinxhirët evropianë të vlerës.
Ai theksoi rëndësinë e iniciativës “Single Market Highway”, e cila synon të lidhë procesin e integrimit evropian me nevojat konkrete të ekonomisë, duke vënë theksin te përafrimi me standardet evropiane, modernizimi teknologjik dhe forcimi i kapaciteteve prodhuese.
Si sektorë me potencial të madh për zhvillim dhe bashkëpunim të mëtejshëm, Gjeloshaj veçoi industrinë e ndërtimit, përpunimit të metaleve dhe atë ushqimore, si dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe teknologjitë e gjelbra.
Ai ritheksoi se synimi i Malit të Zi është që integrimi evropian të mos mbetet vetëm proces politik, por të përkthehet në përfitime konkrete ekonomike për qytetarët dhe bizneset.










