SPAJIQ: EURO MODELI SYNON TË RRISË PAGAT DHE TË MBROJË STANDARDIN E QYTETARËVE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se Qeveria nuk mund të ndikojë në çmimet globale, por mund të ndërmarrë masa për të rritur të ardhurat e familjeve dhe për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, gjatë seancës së Kryeministrit, Spajiq tha se Euro modeli synon të kompensojë ndikimin e inflacionit përmes rritjes së pagave dhe pensioneve.

Ai theksoi se ky model nuk lidhet me datën e zgjedhjeve, por me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Sa i përket integrimit evropian, kryeministri bëri të ditur se Komisioni Evropian është pajtuar me mbylljen e të 33 kapitujve negociues, ndërsa vendimi përfundimtar u takon shteteve anëtare të BE-së.

Qeveria shpreson që kjo të realizohet deri në fund të vitit. Spajiq foli edhe për kërcënimet hibride, duke pretenduar se ndikimet negative nga vendet fqinje janë ushtruar përmes mediave private.

Ai mbrojti masat e ndërmarra nga institucionet e sigurisë.

Gjatë debatit u diskutuan gjithashtu rritja e çmimeve, gjendja e pensionistëve, siguria dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Kryeministri theksoi se rritja e pagave dhe mundësitë e punësimit janë ndër masat kryesore për përmirësimin e standardit dhe parandalimin e përfshirjes së të rinjve në kriminalitet.

Ai njoftoi gjithashtu se Qeveria planifikon të vendosë tatim mbi pronat e paluajtshme të pabanuara, ndërsa premtoi mbështetje për rritjen e pagave dhe pensioneve.

SHARE