MALI I ZI SHKËLQEN NË ZBATIMIN E PLANIT TË RRITJES, KOPMAN VLERËSON REFORMAT

Foto: Ministarstvo evropskih poslova

Mali i Zi ka arritur rezultatet më të mira në rajon në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke marrë vlerësimin maksimal nga Komisioni Evropian.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, vlerësoi veçanërisht përparimin e Malit të Zi, duke e cilësuar me notën dhjetë për zbatimin e reformave dhe Planit të Rritjes.

Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, bëri të ditur se Mali i Zi ka përmbushur 63 nga 67 hapat reformues të paraparë për katër periudhat e para raportuese, përkatësisht 94 për qind të detyrimeve.

Ajo theksoi se Plani i Rritjes synon afrimin gradual të vendeve të rajonit me tregun e përbashkët të BE-së, përmes modernizimit të ekonomisë, forcimit të sundimit të ligjit dhe rritjes së konkurrueshmërisë.

Gorçeviq nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, lehtësimit të tregtisë dhe përfshirjes së kompanive vendase në zinxhirët evropianë të furnizimit.

Ajo ritheksoi ambicien e Malit të Zi për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026, duke theksuar se suksesi i integrimit evropian kërkon reforma konkrete dhe mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian.

SHARE