DUKAJ: KOMPANITË VENDORE TË IT-së TË KENË ROL MË TË MADH NË DIGJITALIZIMIN E MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Përshpejtimi i transformimit digjital të Malit të Zi kërkon bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, me përfshirje më aktive të kompanive vendore të teknologjisë së informacionit (IT).

Kështu u theksua në mbledhjen e shtatë të Trupit Koordinues për Menaxhimin e Procesit të Transformimit Digjital, të kryesuar nga ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

Ai vlerësoi se kompanitë vendore të IT-së kanë njohuritë dhe kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e zgjidhjeve digjitale, të cilat mund të ndihmojnë në modernizimin e ekonomisë, rritjen e produktivitetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në mbledhje u shqyrtua edhe iniciativa për krijimin e një programi mbështetës për digjitalizimin e bizneseve, përmes angazhimit të kompanive vendore të IT-së.

Programi synon t’u mundësojë bizneseve përdorimin e shërbimeve dhe zgjidhjeve digjitale për të përmirësuar efikasitetin dhe funksionimin e tyre.

Para paraqitjes së propozimit zyrtar, do të analizohen nevojat e sektorit të biznesit dhe do të përcaktohen kriteret e mbështetjes.

Dukaj theksoi se transformimi digjital duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, përmes shërbimeve më të qasshme, procedurave më të thjeshta dhe administratës më efikase.

SHARE