Foto: predsjednik.me
Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje suksesi për vendin, por edhe test për besueshmërinë e vetë BE-së dhe përmbushjen e premtimeve ndaj vendeve kandidate, deklaroi presidenti Jakov Millatoviq në një intervistë për televizionin Euronews në Bruksel.
Ai theksoi se Mali i Zi është aktualisht vendi më i avancuar kandidat, me 25 nga 33 kapitujt negociues të mbyllur, ndërsa synon të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në vitin 2028.
Millatoviq bëri të ditur se gjatë këtij viti janë mbyllur 13 kapituj dhe se mbyllja e tetë kapitujve të mbetur deri në fund të vitit do të përbënte një rezultat historik.
Duke folur për çështjet e hapura me Kroacinë, ai u shpreh i bindur se ato nuk do të pengojnë integrimin evropian të Malit të Zi, duke përmendur arbitrazhin ndërkombëtar ose gjykatën si mundësi për zgjidhjen e çështjes së kufirit.
Ai gjithashtu theksoi përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe vlerësoi se anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte një sinjal i rëndësishëm për vendet e tjera kandidate dhe për të ardhmen e një Evrope të bashkuar.










