Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka dërguar një letër presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke theksuar se çështjet dypalëshe nuk duhet të kushtëzojnë rrugën evropiane të vendit.
Millatoviq vlerësoi se Mali i Zi po shënon përparim të rëndësishëm në negociatat me BE-në, me 13 kapituj të mbyllur gjatë këtij viti, dhe synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit, për t’u bërë anëtarja e 28-të e Unionit në vitin 2028.
Ai paralajmëroi se lidhja e procesit të zgjerimit me mosmarrëveshjet bilaterale do të ishte në kundërshtim me vlerat dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian.
Sipas Millatoviqit, çështjet e hapura me fqinjët duhet të zgjidhen përmes dialogut, jashtë procesit të anëtarësimit.
Ai theksoi se zgjerimi është i rëndësishëm edhe për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Evropës.










