ISHP: ÇDO E PESTA GRUA NË MAL TË ZI KA PËRJETUAR DHUNË NGA PARTNERI, 75% NUK E RAPORTOJNË

Foto: Ilustrim

Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi ka bërë të ditur se çdo e pesta grua në vend, përkatësisht 20,2 për qind, ka përjetuar dhunë nga partneri gjatë jetës së saj, ndërsa rreth 75 për qind e grave nuk e raportojnë kurrë dhunën.

Të dhënat u publikuan me rastin e 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila shënon edhe fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”.

Sipas Institutit, dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut. Në nivel global, pothuajse çdo e treta grua ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës së saj.

Shqetësuese janë edhe të dhënat për grupet më të cenueshme, ku 38 për qind e grave nga komuniteti LGBTIQ+ kanë përjetuar ndonjë formë dhune ose kërcënimi.

Instituti ka tërhequr vëmendjen edhe te rritja e dhunës digjitale përmes rrjeteve sociale dhe platformave online, veçanërisht ndaj grave me prani publike në politikë, gazetari dhe aktivizëm.

Me këtë rast, u bëhet thirrje institucioneve që të garantojnë mbrojtje të shpejtë për viktimat dhe ndëshkim të autorëve, ndërsa kompanive teknologjike që të marrin përgjegjësi për sigurinë në platformat e tyre. 

SHARE