Tirana është kthyer për dy ditë në një qendër takimi mes investitorëve evropianë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve evropiane e financiare ndërkombëtare u mblodhën në Pallatin e Kongreseve, në kuadër të Konferencës së Investimeve BE-Ballkani Perëndimor.
Me synimin për ta kthyer rajonin në një destinacion konkret dhe konkurrues për investime, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, propozoi në fjalën hapëse një projekt rajonal për investime plotësuese, me vlerësim teknik nga Komisioni Evropian.
Nisma synon të lidhë burimet natyrore, energjinë e pastër, kërkimin shkencor dhe kapacitetet prodhuese të vendeve të rajonit me nevojat e industrisë evropiane.
Përfaqësuesit evropianë vlerësuan se integrimi gradual i Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët përbën një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të bizneseve dhe rritjen e interesit të investitorëve.
Ndërkaq, presidenti i Dialogut Global të Berlinit theksoi se potenciali ekonomik i rajonit duhet të shoqërohet me projekte konkrete për të tërhequr kapitalin privat.









