Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror në luftimin e dhunës ndaj grave, duke theksuar se ajo nuk mund të konsiderohet çështje private.
Deklaratat i bëri në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, gjatë Asamblesë së Grave Parlamentare dhe Asambleiste, të organizuar nga Grupi i Grave Deputete.
Haxhiu theksoi se institucionet duhet të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e grave dhe se zbatimi i ligjit duhet të garantojë largimin e dhunuesve nga banesat, në vend që viktimat të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
Duke iu referuar vrasjes së Arlinda Zekajt, ajo kërkoi zbardhjen e plotë të rastit dhe hetimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që kishin përgjegjësi për mbrojtjen e saj.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për gjuhën seksiste dhe sulmet ndaj grave në politikë, duke theksuar se nuk do të lejojë që fyerjet dhe poshtërimet me bazë gjinore të normalizohen në debatet parlamentare.
Haxhiu nënvizoi se dallimet politike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin për mbrojtjen e të drejtave, dinjitetit dhe sigurisë së grave.









