Foto: BE
Në prag të samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që mbahet nesër në Bruksel, zyrtarët evropianë e kanë vlerësuar Malin e Zi si shembull të përshpejtimit të procesit të zgjerimit, duke shprehur optimizëm se negociatat e anëtarësimit mund të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Zyrtarët e BE-së veçuan Malin e Zi dhe Shqipërinë si vendet që kanë shënuar përparimin më të dukshëm gjatë këtij viti.
Ata shprehën shpresën se çështjet dypalëshe me Kroacinë nuk do të pengojnë mbylljen e kapitujve, duke vlerësuar angazhimin konstruktiv të të dyja vendeve për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme.
Gjithashtu, në Bruksel bëhet e ditur se ka përfunduar vlerësimi për këstin e katërt të Planit të Rritjes për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendimi zyrtar për pagesën pritet të bëhet publik në ditët ose javët e ardhshme.
Në draft-deklaratën e samitit riafirmohet perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, me mesazhin se zgjerimi është një mundësi reale që duhet shfrytëzuar.
Dokumenti thekson se përparimi duhet të bazohet në reforma të besueshme, sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe mbrojtjen e pakicave.
Samiti do të trajtojë gjithashtu integrimin gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian, përfshirë zgjerimin e sistemit të pagesave SEPA, regjimin e roamingut pa tarifa shtesë dhe Planin e Rritjes prej gjashtë miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.










