VUKOVIQ: EURO MODELI SYNON TË AFROJË STANDARDET E JETESËS SË QYTETARËVE ME ATO TË BE-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi pret që rritja reale ekonomike në vitin 2026 të arrijë në 4 për qind, krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 3,1 për qind, deklaroi ministri i Financave, Novica Vukoviq, pas përfundimit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Duke folur për modelin e ri ekonomik “Euro modeli”, Vukoviq tha se reforma synon rritjen e standardit të jetesës, uljen e barrës tatimore mbi punën dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë, si vazhdimësi e programeve “Evropa Tani 1” dhe “Evropa Tani 2”.

Ai theksoi se Mali i Zi duhet të krijojë kushte më të mira për qytetarët, paga më konkurruese dhe vende pune cilësore, në mënyrë që afrimi me Bashkimin Evropian të mos shoqërohet me largimin e fuqisë punëtore drejt vendeve më të zhvilluara.

Sipas Vukoviqit, të ardhurat buxhetore gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë rritur për 10,3 për qind, ose 216,8 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, ministri paralajmëroi se zbatimi i Euro modelit do të shoqërohet me masa të konsolidimit fiskal, me qëllim ruajtjen e stabilitetit të financave publike dhe kontrollin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Mali i Zi pret të përfitojë rreth 3,2 miliardë euro nga paketa financiare e Komisionit Evropian për periudhën 2028–2034, mjete që do të mbështesin bujqësinë, infrastrukturën dhe prioritetet e tjera zhvillimore.

Në fund, Vukoviq theksoi se synimi i qeverisë nuk është vetëm anëtarësimi formal në BE, por edhe përgatitja ekonomike e vendit, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga standardi dhe cilësia e jetesës në nivel evropian.

SHARE