Foto: RTNK
Qeveria e Malit të Zi dhe sindikatat janë pajtuar për nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila parasheh rritjen e vlerës së koeficientit të pagave në 100 euro.
Ndërkohë, punëdhënësit kanë kërkuar kohë shtesë për të shqyrtuar propozimin dhe pritet të japin përgjigjen përfundimtare deri më 1 dhjetor.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Sindikatave të Malit të Zi, Dushko Zarubica, pas mbledhjes së Këshillit Social, deklaroi se negociatat kanë shënuar përparim dhe se Qeveria dhe sindikatat janë të gatshme ta nënshkruajnë marrëveshjen, e cila përfshin edhe rritjen e koeficientëve të kompleksitetit të punës.
Ai bëri të ditur se më 2 dhjetor do të dihet nëse marrëveshja do të nënshkruhet, pasi punëdhënësit të kenë shqyrtuar qëndrimin e tyre.
Ndërkaq, kryetari i Unionit të Punëdhënësve, Sllobodan Mikavica, tha se zbatimi i modelit të ri ekonomik “Euromodel” ndryshon ndjeshëm kushtet e biznesit dhe rrit për më shumë se 35 për qind detyrimet bruto të punëdhënësve ndaj punonjësve.
Për këtë arsye, ai kërkoi analizë shtesë të ndikimit të masave të reja në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive, duke paralajmëruar se Unioni do t’i paraqesë Këshillit Social propozimet për ndryshimin e disa dispozitave të saj.
Mikavica theksoi se nuk synojnë heqjen e të drejtave të punonjësve, por kërkojnë që sistemi i pagave të përshtatet me modelin e ri, përmes klasifikimit në nivele dhe kategori sipas përgatitjes arsimore.
Ai gjithashtu bëri të ditur se pret një takim me kryeministrin për të diskutuar masat përfundimtare dhe mënyrën e zbatimit të Euromodelit.
Diskutimi për këtë çështje është shtyrë deri në miratimin e Projektligjit për Buxhetin, pas së cilës pritet një takim tjetër i Këshillit Social.










