Mali i Zi po forcon kapacitetet e sigurisë kibernetike, ndërsa një nga prioritetet e ardhshme është krijimi i Qendrës Shtetërore të të Dhënave, e cila do të mundësojë ruajtjen e sigurt të të dhënave të qytetarëve dhe institucioneve.
Kështu deklaroi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në hapjen e Konferencës së Shtatë Rajonale për Sigurinë Kibernetike.
Dukaj theksoi se inteligjenca artificiale po ndryshon ndjeshëm fushën e sigurisë kibernetike, si në mënyrën e realizimit të sulmeve, ashtu edhe në mundësitë për parandalimin dhe përballimin e tyre.
Ai nënvizoi se kontrolli mbi përdorimin e inteligjencës artificiale duhet të mbetet te njerëzit, ndërsa përgjegjësia për vendimet duhet t’u takojë institucioneve.
Duke folur për masat e ndërmarra, Dukaj kujtoi se Mali i Zi ka miratuar Ligjin për Sigurinë e Informacionit, në përputhje me direktivën NIS2, ka themeluar Agjencinë për Siguri Kibernetike dhe ka miratuar Planin Kombëtar për reagimin ndaj kërcënimeve dhe incidenteve kibernetike.
Sipas tij, sistemet informative të Qeverisë mbrohen 24 orë në ditë përmes G-SOC dhe Ekipit Kombëtar për Reagimin ndaj Incidenteve Kompjuterike/Kibernetike, duke rritur ndjeshëm kapacitetet për zbulimin e hershëm dhe reagimin ndaj sulmeve.
Ministri theksoi se asnjë shtet nuk mund të jetë plotësisht i mbrojtur nga kërcënimet kibernetike, por Mali i Zi sot është shumë më i përgatitur për t’u përballur me to sesa disa vite më parë.
Si sfidë të rëndësishme ai përmendi edhe mungesën e kuadrove profesionale, duke vënë në dukje nevojën për arsimimin, mbajtjen dhe motivimin e ekspertëve në këtë fushë.
Konferenca e sivjetme, me moton “Sigurimi i së ardhmes digjitale”, është përqendruar në bashkëpunimin ndërkombëtar, forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, inteligjencën artificiale dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.










