Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ka deklaruar se Qeveria nuk do të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të vendit në kuadër të negociatave për çështjen e kufirit me Kroacinë.
Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve kroatë dhe kërkesat për zgjidhjen e çështjes së kufirit tokësor dhe detar, Ibrahimoviq theksoi se Mali i Zi do të mbrojë interesat e veta dhe do të kërkojë një zgjidhje përmes dialogut.
“Ne nuk do të japim asnjë pëllëmbë të territorit të Malit të Zi dhe nuk ekziston asnjë përfitim për të cilin do të hiqnim dorë qoftë edhe nga një pjesë e vendit”, deklaroi Ibrahimoviq, duke shtuar se ky është qëndrimi i tij dhe, sipas bindjes së tij, i gjithë Qeverisë.
Ai theksoi se çështjet e hapura mes dy vendeve janë të pranishme prej rreth 30 vitesh dhe se zgjidhja e tyre duhet të arrihet me respekt të ndërsjellë, bisedime dhe shqyrtim të dokumentacionit përkatës.
Ibrahimoviq bëri të ditur se Mali i Zi i ka dërguar një notë zyrtare Kroacisë, me kërkesën për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bisedimeve për kufirin tokësor dhe detar.
Ai shtoi se në këtë komunikim nuk është përmendur Gjiri i Kotorrit dhe se, sipas tij, kjo çështje nuk është e rrezikuar.
Në rast se të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje, ministri tha se Mali i Zi nuk do t’i shmanget institucioneve ndërkombëtare dhe do të pranojë vendimin e tyre.
Ai gjithashtu vlerësoi kontributin e Kroacisë në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi, duke kujtuar mbështetjen e saj për mbylljen e 25 kapitujve negociues.










