Foto: Ilustrim
Inspektorët e ushqimit në Mal të Zi kanë konstatuar 41 parregullsi gjatë kontrolleve të kryera në tetor në objektet e prodhimit, shitjes dhe shërbimit të ushqimit.
Për shkeljet e evidentuara janë shqiptuar 25 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 21.500 eurosh, ndërsa nga qarkullimi janë tërhequr ose asgjësuar 46 kilogramë ushqim i pasigurt.
Sipas raportit të Drejtorisë për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Çështjet Fitosanitare, gjatë muajit tetor janë realizuar 172 kontrolle inspektuese, ku janë evidentuar mangësi kryesisht në mirëmbajtjen e higjienës, ruajtjen e produkteve ushqimore dhe respektimin e temperaturave të përcaktuara.
Parregullsi janë konstatuar edhe në etiketimin e produkteve, dokumentacionin për origjinën dhe gjurmueshmërinë e ushqimit, si dhe në informimin e konsumatorëve për praninë e alergjenëve.
Probleme janë evidentuar gjithashtu në trajtimin e mbeturinave dhe në kushtet e përgatitjes e magazinimit të ushqimeve.
Për shkeljet e konstatuara, inspektorët kanë dhënë 16 urdhra për eliminimin e parregullsive dhe kanë nxjerrë 12 vendime, përfshirë ndalimin e përdorimit të disa hapësirave dhe asgjësimin e ushqimeve të pasigurta.
Gjatë tetorit, inspektorati ka pranuar edhe 62 ankesa dhe iniciativa nga qytetarët, ndërsa për analizat laboratorike janë marrë 16 mostra ushqimore.
Në kuadër të kontrolleve të importit janë realizuar edhe 1.855 inspektime të dërgesave, me gjithsej 250 mostra të marra për analiza laboratorike.










