Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 61 vota masat emergjente për furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.
Masat parashohin aktivizimin e hidrocentralit të Ujmanit gjatë periudhave të konsumit të lartë, krijimin e një Komiteti Teknik Emergjent dhe obligimin e institucioneve publike për kursimin e energjisë.
Ndërkohë, KEK-ut i është ngarkuar sigurimi i kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit për të kompensuar mungesën e prodhimit nga njësia B1 e Termocentralit Kosova B.
Qeveria e ka arsyetuar situatën me kufizimet në prodhimin vendor, vonesat në rikthimin në funksion të njësisë B1 dhe bllokimin e linjave të transmetimit nga Serbia.
Opozita e ka kundërshtuar vendimin, duke paralajmëruar se ai mund të hapë rrugë për ndërprerje të energjisë elektrike dhe duke kërkuar përgjegjësi për krizën energjetike.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe Projektligjin për Efiçiencën e Energjisë.









