KRIZA E STREHIMIT NË EVROPË, RRITJA E ÇMIMEVE NXIT PROTESTA NË DISA VENDE

Gjetja e një banese të përballueshme është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për miliona qytetarë në Evropë, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të pronave dhe qirave.

Sipas të dhënave të Eurostatit, që nga viti 2015 çmimet e shtëpive në Bashkimin Evropian janë rritur me gati 70 për qind, ndërsa qiratë me 25 për qind, duke tejkaluar rritjen e të ardhurave.

Portugalia dhe Holanda janë ndër vendet ku rritja ka qenë më e theksuar.

Pakënaqësitë kanë nxitur protesta në disa vende evropiane, ndërsa qeveritë po ndërmarrin masa të ndryshme për të lehtësuar krizën.

Spanja ka miratuar ligje të reja pas protestave, Portugalia po përdor masa fiskale për të nxitur pronarët të nxjerrin banesat në treg, ndërsa Holanda ka vendosur kufizime të çmimeve për një pjesë të banesave me qira.

Në Francë dhe Gjermani vëmendja është përqendruar te ndërtimi i banesave të reja dhe zgjerimi i mundësive për strehim të përballueshëm.

Ndërkohë, Britania planifikon ndërtimin e 300 mijë banesave sociale dhe ofrimin e ndihmës financiare për blerësit e parë të shtëpive.

Në Itali, qeveria ka ulur taksat mbi të ardhurat nga qiraja për të nxitur ofertën e banesave, ndërsa Greqia po kufizon zgjerimin e qirave afatshkurtra, veçanërisht në Athinë dhe Selanik.

Gjithashtu, janë vendosur kufizime në programin e vizave të arta për të huajt që blejnë prona.

Ndërkohë, për shkak të rritjes së kostove të strehimit, në disa vende evropiane janë paralajmëruar tri ditë protesta të koordinuara.

SHARE