GREVË E PËRGJITHSHME NË ITALI, MIJËRA PUNONJËS DHE STUDENTË PROTESTOJNË

Italia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme, e shoqëruar me protesta në dhjetëra qytete, ku mijëra punonjës dhe studentë kanë kërkuar ndryshime në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe masa kundër rritjes së kostos së jetesës.

Greva është organizuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL), ndërsa në mobilizim janë bashkuar edhe sindikata të tjera dhe organizata studentore.

Ndërprerjet pritet të prekin kryesisht arsimin, shëndetësinë dhe transportin publik.

Në spitale mund të anulohen vizita dhe ndërhyrje jo urgjente, ndërsa autobusët, tramvajet dhe metrotë do të funksionojnë me kufizime në disa qytete, përfshirë Romën, Milanon, Bolonjën, Firencen, Gjenovën dhe Palermon.

Sektori ajror dhe ai hekurudhor janë përjashtuar nga kjo grevë, megjithëse udhëtarët janë paralajmëruar për një tjetër grevë 24-orëshe të shpallur nga sindikatat SGB dhe CUB, e cila nis të premten në orën 21:00.

Ndërkohë, në Romë dhe Milano janë organizuar marshime protestuese, ndërsa policia ka marrë masa të posaçme sigurie. Protestuesit kërkojnë ndryshimin e modelit aktual social dhe ekonomik, duke vënë në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës dhe kundërshtimin e shtrenjtimit të vazhdueshëm.

SHARE