GJELAJ REAGON NDAJ DEKLARATËS SË PDS-së: TOKA NUK SHITET, POR JEPET ME QIRA PËR INVESTIME

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, ka reaguar ndaj akuzave të klubit të këshilltarëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS), lidhur me dhënien me qira afatgjatë të 53.4 hektarëve tokë komunale, duke i akuzuar ata se po përpiqen të pengojnë zhvillimin dhe investimet në Malësi.

Nga PDS-ja kanë kërkuar mbajtjen urgjente të një seance të Kuvendit të Komunës së Tuzit, duke shprehur shqetësimin për dhënien e tokës me qira për 30 vjet.

Ata kanë kërkuar pezullimin e procedurës dhe paraqitjen e një analize të detajuar brenda 90 ditësh, e cila do të përfshinte statusin juridik të pronës dhe interesat e banorëve të Omerbozhajve, Mileshit dhe Dinoshës.

Sipas klubit të këshilltarëve të PDS-së, një vendim i tillë nuk duhet të merret pa sqaruar paraprakisht interesin publik.

Në reagimin e tij, kryetari Gjelaj ka theksuar se toka nuk shitet, por jepet përmes një procedure publike në shfrytëzim për 20 vjet, me mundësi vazhdimi edhe për 10 vjet të tjera.

Gjelaj ka bërë të ditur se procedura është transparente dhe se qiraja minimale vjetore për të dy parcelat arrin në afro 1.8 milionë euro, shumë e përcaktuar nga komisioni përkatës shtetëror.

Kryetari i komunës së Tuzit ka theksuar se projekti, i cili përfshin edhe mundësinë e ndërtimit të një qendre të madhe të të dhënave (Data Center), paraqet një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Malësisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e të ardhurave komunale.

Ai ka kritikuar PDS-në për kundërshtimin e investimeve, duke rikujtuar se sipas tij, që nga viti 2019 komuna ka realizuar projekte në infrastrukturë, arsim, ujësjellës dhe objekte sportive e kulturore.

Në fund, Gjelaj ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga projektet zhvillimore për shkak të presioneve politike, duke theksuar se për punën e pushtetit lokal do të vendosin qytetarët dhe jo deklaratat partiake.

SHARE