DUKAJ: MALI I ZI PO KTHEHET NË QENDËR RAJONALE TË SIGURISË KIBERNETIKE

Foto: Ministria e Administratës Publike / Ministarstvo javne uprava

Mali i Zi po forcon pozitën e tij në fushën e sigurisë kibernetike, duke u shndërruar në një qendër rajonale të njohurive dhe qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve digjitale.

Kështu deklaroi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, gjatë vizitës në Qendrën Rajonale për Kapacitete Kibernetike (WB3C) në Podgoricë, ku u takua me drejtorin e ri të përgjithshëm të qendrës, Naim Gjokaj.

Gjatë takimit u diskutua për intensifikimin e aktiviteteve, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nisjen e projekteve të reja në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare.

Dukaj theksoi se themelimi dhe funksionimi i Qendrës Rajonale për Kapacitete Kibernetike në Podgoricë, së bashku me krijimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike, dëshmojnë ambicien e Malit të Zi për t’u bërë lider rajonal në këtë fushë.

Ai nënvizoi se synimi është ndërtimi i një sistemi digjital të sigurt, në përputhje me standardet më të larta evropiane dhe të NATO-s, për të mbrojtur qytetarët, institucionet dhe ekonominë.

Qendra Rajonale për Kapacitete Kibernetike është themeluar me iniciativë të përbashkët të qeverive të Malit të Zi, Francës dhe Sllovenisë, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë kibernetike dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

SHARE