GJELOSHAJ: FORCIMI I BIZNESEVE VENDORE, KYÇ PËR RRITJEN E QËNDRUESHME EKONOMIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zhvillimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme mbetet një nga prioritetet e Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa forcimi i kapaciteteve prodhuese, rritja e produktivitetit dhe lehtësimi i qasjes në financim janë thelbësore për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, gjatë takimit me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga shefi i ekipit për Malin e Zi, Jeff Denforth.

Gjeloshaj theksoi se synimi i ministrisë nuk është vetëm mbështetja financiare afatshkurtër, por krijimi i kushteve që bizneset vendore të modernizojnë prodhimin, të rrisin konkurrueshmërinë dhe të zgjerohen në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutua edhe për Programin e Përmirësimit të Konkurrueshmërisë dhe rëndësinë e themelimit të Fondit të Kreditimit dhe Garancive të Malit të Zi, i cili pritet t’ua lehtësojë ndërmarrjeve qasjen në kapital dhe investimet në teknologji e kapacitete të reja prodhuese.

Palët shkëmbyen gjithashtu mendime për sfidat me të cilat përballen bizneset vendore dhe për masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e klimës së biznesit dhe përgatitjen e kompanive malazeze për tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

SHARE