Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi pritet që nesër në Bruksel të mbyllë përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë të negociatave me Bashkimin Evropian, kapitullin 16 për Tatimet dhe kapitullin 22 për Politikën Rajonale dhe Koordinimin e Instrumenteve Strukturore.
Këtë e bëri të ditur ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, e cila tha se me mbylljen e këtyre dy kapitujve, Mali i Zi do të arrijë në gjithsej 25 kapituj të mbyllur, duke iu afruar synimit për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit.
Sipas saj, mbyllja e kapitullit për tatimet do të mundësojë rregulla më të qarta fiskale, një mjedis më të parashikueshëm për bizneset dhe konkurrencë më të drejtë.
Ndërsa kapitulli 22 ka rëndësi të veçantë për përgatitjen e projekteve që do të financohen nga fondet evropiane.
Gorçeviq theksoi se anëtarësimi në BE do t’i mundësojë Malit të Zi të përfitojë nga fondet e kohezionit për investime në infrastrukturë, furnizim me ujë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ajo nënvizoi se procesi i përgatitjes nuk përfundon me mbylljen e kapitujve, pasi institucionet duhet të jenë të gatshme për zbatimin e rregullave dhe menaxhimin e projekteve evropiane.










