Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi nuk pranon që përparimi i tij në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të kushtëzohet me pranimin e propozimit të Kroacisë për marrëveshjen mbi kufirin tokësor.
Kështu deklaroi ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, në një letër drejtuar sekretares shtetërore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Andreja Metelko Zgombiq.
Bozhoviq theksoi se çështjet dypalëshe, përfshirë ato kufitare, nuk duhet të pengojnë procesin e integrimit evropian dhe se përparimi i Malit të Zi duhet të vlerësohet vetëm në bazë të rezultateve dhe përmbushjes së kritereve evropiane.
Ai rikujtoi se edhe Parlamenti kroat, në vitin 2011, kishte miratuar një deklaratë sipas së cilës mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet të pengojnë anëtarësimin e vendeve kandidate në BE.
Ministri bëri të ditur se Mali i Zi është i gatshëm t’i propozojë Kroacisë një draft-marrëveshje për përcaktimin e kufirit tokësor dhe detar.
Nëse negociatat dypalëshe nuk sjellin rezultat, ai propozon që të dyja vendet t’i drejtohen së bashku një institucioni ndërkombëtar të pranueshëm për të dyja palët.
Bozhoviq theksoi se zgjidhja e çështjes kufitare duhet të bazohet në të drejtën ndërkombëtare, fakte dhe respektimin e interesave të të dyja shteteve, duke paralajmëruar se kjo çështje nuk duhet të përdoret si mjet presioni në fazën përfundimtare të negociatave me BE-në.
Ai shtoi se Mali i Zi synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian si shtet i barabartë, pa hequr dorë nga qëndrimet dhe të drejtat e tij ligjore.










